4.The Women

  1. O njerëz, frikësohuni Zotit tuaj, i cili ju krijoi prej një njeriu, nga i cili krijoi edhe shokun e tij për jetë dhe prej atyre dyve bëri shumë meshkuj dhe femra, frikësohuni All-llahut të cilit i luteni, dhe mbani lidhjet familjare, se All-llahu, vërtetë, gjithmonë mbi ju vigjilon
  2. Kurse bonjakëve dorzonu pasurinë e tyre, mos e përzieni të keqen me të mirën dhe mos hani pasuritë e tyre me pasuritë tuaja; ajo, njëmend, do të ishte mëkat i madh
  3. Nëse keni frikë se ndaj bonjakëve nuk do të jeni të drejtë, atëherë martohuni me ato gra që u lejohen, me nga dy, tri dhe me katër. Por në qoftë se frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë, atëherë vetëm me nga një; Ose, ja, i keni ato me të cilat dispononi. Ashtu është më lehtë të ruheni nga e padrejta
  4. Dhe jepuni grave, me gjithë zemër, dhuratat e kurorës, por nëse ato me dëshirën e vet ju dhurojnë diçka nga ato, merrne dhe, e ngrënshi me shëndet
  5. Ndërsa të papjekurve intelektualisht (të marrëve) mos ua jepni pasurinë e tyre, të cilën All-llahu ua ka besuar juve ta drejtoni, por ata t’i furnizoni me ushqim e veshmbathje dhe foluni atyre fjalë të mira
  6. Dhe kujdesohuni për bonjakët, derisa të bëhen në moshë për martesë, edhe kur ta shihni se janë të pjekur dorëzonu pasuritë e tyre. Dhe mos e shpenzoni pa nevojë derisa ata të rriten. Kush është i pasur – le të përmbahet, e kush është i varfër – le të shpenzojë me masë, legalisht. E kur t’ua jepni pasurinë e tyre, jepuni me dëshmitarë. Ndërkaq mjafton që para All-llahut të jepet llogari
  7. Meshkujve u takon një pjesë nga ajo që lanë prindërit dhe të afërmit, por edhe grave u takon një pjesë nga ajo që lënë prindërit dhe të afërmit, pavarësisht a është pak ajo pjesë e caktuar apo shumë
  8. Kur në ndarje prezentojnë të afërmit, bonjakët dhe të varfërit, u jepni edhe atyre diçka nga ajo dhe u thuani ndonjë fjalë të mirë
  9. Dhe le të frikësohe, sikur të lënin edhe ata pas vetes fëmijë të njomë për të cilët kanë frikë; le t’i ruhen All-llahut dhe le të thonë fjalën e vërtetë
  10. Ata të cilët hanë pasurinë e bonjakëve pa kurrfarë të drejte, pa dyshim, hanë dhe mbushin barqet me zjarr, andaj do të digjen në flakë të këndellur
  11. All-llahu ju këshillon për fëmijët tuaj: mashkullit i takon aq sa u takon dy femraave. E nëse janë më shumë se dy femra, atyre u takon dy të tretat nga ajo që ka lanë, e nëse është vetëm një, asaj i takon gjysma. Kurse prindërve: çdonjërit prej tyre – një e gjashta e asaj që ka lënë, nëse ka fëmijë. Po nëse nuk ka fëmijë dhe e kanë trashëguar prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta. Po në qoftë se ka vëllezër, atëherë nënës së tij i bie një e gjashta, pasi të zbatohet porosia që ka lënë, ose të paguhet borxhi. Ju nuk dini cilin keni më të afërt – prindërit apo djemtë tuaj. Ky është obligim i All-llahut! – Vërtetë All-llahu është i urtë dhe di shumë
  12. Juve ju takon gjysma e asaj që lënë gratë tuaja, nëse nuk kanë fëmijë, e nëse kanë fëmijë, atëherë për ju është një e katërta nga ajo që kanë lënë, pasi të zbatohet porosia që ka lënë ose të paguhet borxhi. Kurse bashkëshortëve u takon një e këtërta nga ajo që lini ju, nëse nuk keni fëmijë; e në qoftë se keni fëmijë atyre u takon një e teta nga ajo që keni lënë ju, pasi të zbatohet porosia që keni lënë ose të paguhet borxhi. Po në rast se mashkulli ose femra që trashëgohen nuk kanë prindër as fëmijë, por kanë vëlla ose motër, atëherë secilit prej atyre dyve i takon një e gjashta, e nëse janë më shumë atëherë marrin pjesë bashkarisht në një të tretën, pasi të zbatohet porosia e lënë ose të paguhet borxhi pa dëmtuar askë. Kjo është porosi e All-llahut! All-llahu është shumë i dijshëm dhe i butë
  13. Ata janë kufijtë e caktuar nga All-llahu. Kush i përulet All-llahut dhe Profetit të Tij, Ai do ta shtjerë atë në xhennete ku rrjedhin lumenj, dhe aty do të mbesin përgjithmonë. Ai është sukses i madh
  14. Kush është i padëgjueshëm ndaj All-llahut dhe Profetit të Tij dhe i kalon kufijtë e ligjeve të Tij, Ai do ta hudhë atë në zjarr, ku do të qëndrojë përgjithmonë. Atë e pret vuajtja e turpshme
  15. Kur bëjnë amoralitet gratë tuaja, kërkoni që t’ua dëshmojnë katër vetë prej jush. Nëse dëshmojnë, mbani në shtëpi derisa t’i lodhë vdekja, gjegjësisht derisa All-llahu t’u gjejë ndonjë rrugëdalje tjetër
  16. Qortoni të dy palët që bëjnë amoralitet, por nëse pendohen dhe përmirsohen, atëherë lini të qetë, sepse All-llahu është shumë i mëshirshëm dhe i pranon shumë pendimet
  17. Me të vërtetë All-llahu pranon pendimin vetëm prej atyre të cilët bëjnë ndonjë vepër të keqe nga mosdija dhe shpejt pendohen; Atyre All-llahu do t’ua pranojë pendimin, sepse All-llahu është shumë i dijshëm dhe i urtë
  18. Nuk është pendimi për ata të cilët bëjnë vepra të këqia deri kur u afrohet vdekja. Ndonjëri sish, atëherë thotë: “Unë tash vërtetë pendohem!”, e as për ata që vdesin mosbesimtarë. Ata janë për të cilët kemi përgatitur vuajtje të dhembshme
  19. O besimtarë, juve nuk ju lejohet t’i trashëgoni gratë pa pëlqimin e tyre, dhe mos krijoni vështirës, me qëllim që t’ua përvetësoni ndonjë send që ua keni dhuruar, përveç nëse kanë bërë amoralitet haptazi. Çoni jetë të mirë me to! Po nëëse ndieni neveri ndaj tyre, ndoshta do të neveriteni nga ajo për të cilën All-llahu jep dobi të shumta
  20. Dhe nëse dëshironi ta lëshoni një grua dhe ta mbani një tjetër, por njërës nga ato i keni dhënë shumë pasuri, mos i merrni asgjë nga ajo pasuri! A t’ia merrni me dhunë e të bëni mëkat flagrant
  21. Si mund t’ia merrni atë e njëri-tjetrit ia keni falur zemrën dhe ato kanë marrë prej jush obligime të mëdha
  22. Edhe me gratë me të cilat janë martuar baballarët tuaj mos u martoni! Pavarësisht nga e kaluara, ajo do të ishte, njëmend, amoralitet i vrazhdë, neveri dhe rrugë e keqe
  23. Ju i keni të ndaluara: nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja edhe tezet tuaja; edhe bijat e vëllaut, bijat e motrës, edhe nënat tuaja për nga tëmbëli, motrat tuaja për nga tëmbëli, nënat e grave tuaja, edhe bonjaket e grave tuaja me nënat e të cilave keni pasur marrëdhënie intime, që janë nën kujdesin tuaj, po nëse ju nuk keni pasur marrëdhënie kurore me ato, atëherë nuk është mëkat për ju. I keni të ndaluara edhe gratë e djemëve tuaj, si edhe t’i mbani nën kurorë dy motra, pavarësisht nga e kaluara. All-llahu është, me siguri, shumë i mëshirshëm dhe fal
  24. Edhe gratë e martuara, me përjashtim të atyre që i zini rob. Ligjet e All-llahut janë për ju, ndërkaq të tjerat i keni të lejuara, por që t’u jepni dhuratat e kurorës dhe të martoheni me ato, e jo të bëni amoralitet. Ndërsa atyre që keni pasur kurorë jepnu dhuratat e kurorës së tyre ashtu si e keni detyrë. Nuk është mëkat që pas dhuratës së caktuar të lidhni marrëveshje. All-llahu vërtetë është shumë i dijshëm dhe i urtë
  25. E kush nuk ka pasur mundësi të martohet me grua besimtare – ja ku janë ato me të cilat dispononi ju, shërbëtoret tuaja besimtare – e All-llahu e di më mirë besimin tuaj. Ju jeni si njeri-tjetri, andaj martohuni me ato, me lejën e familjeve të tyre dhe jepnu dhuratat e tyre të kurorës sipas normave për gratë e pastra, jo amorale dhe që çojnë dashuri fshehtazi; Po nëse bëjnë kurvëri e janë të martuara, le të dënohen me gjysmën e dënimit të përcaktuar për gra të lira. Ajo është për atë i cili i frikësohet kurvërisë, por më mirë është për ju të përmbaheni. Ndërkaq All-llahu fal dhe është shumë i mëshirshëm
  26. All-llahu dëshiron t’ju sqarojë dhe t’ju udhëzojë rrugëve që kanë ecur ata pra jush, dhe t’ju falë, sepse All-llahu është shumë i dijshëm dhe i urtë
  27. All-llahu don t’ju falë juve, por ata që udhëhiqen nga epshet e tyre dëshirojnë që ju të shmangeni larg rrugës së drejtë
  28. All-llahu don t’ju lehtësojë, se njeriu është krijesë e dobët
  29. O besimtarë, mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, vetëm në formë tregtie me pëlqim të dyanshëm, dhe mos e mbytni vetveten! All-llahu është ndaj jush shumë i mëshirshëm
  30. Ai që e bën këtë me përdhunë dhe padrejtësisht, Ne do ta hudhim në zjarr. Kjo është lehtë për All-llahun
  31. Nëse u shmangeni mëkateve të mëdha, nga ato gjëra që u janë ndaluar, Ne do t’i kapërcejmë sulmet tuaja dhe do t’iu shtimë në vende fisnike
  32. Dhe mos lakmoni atë me çka All-llahu i ka dalluar disa prej jush. Meshkujve u takon dhurata për atë që punojnë, kurse grave dhurata për atë që ato e kanë merituar. Kërkoni mirësi prej All-llahut, se All-llahu, pa dyshim, di çdo gjë
  33. Ne kemi caktuar trashëgimtarë për gjithçka që lënë prindërit dhe të afërmit. Atyre, me të cilët keni lidhur kontrata, jepnu pjesën e tyre! All-llahu është njëmend dëshmitar i çdo sendi
  34. Burrat janë mbështetje e grave me aq sa u ka dhënë All-llahu përparësi njërës palë ndaj tjetrës dhe për shkak se ata shpenzojnë pasurinë e vet. Prandaj gratë e mira janë të dëgjueshme dhe në mosprezencën e burrit kujdesen, për atë që kujdesohet edhe All-llahu. Kurse ato, padëgjueshmërisë së të cilave i frikësoheni, ju këshilloni njëherë e pastaj ndane shtratin me to, madje edhe rrihni; e nëse bëhen të dëgjueshme ndaj jush, atëherë mos u bëni padrejtësi! All-llahu është vërtetë i madh dhe i lartëmadhërishëm
  35. Nëse frikësoheni se lind përçarje në mes atyre dyve, atëherë dërgoni një pajtimtar nga familja e tij e një pajtimtar nga familja e saj. Në qoftë se ata dy duan pajtimin, All-llahu do t’i pajtojë, sepse All-llahu është shumë i dijshëm dhe i informuar
  36. Adhurone All-llahun dhe asnjë send mos e trajtoni të barabartë me Të! Jini të mirë me prindërit dhe të afërmit, edhe bonjakët, edhe të varfërit e mjerë, edhe me fqinjët e afërm, edhe me fqinjët e largët, edhe me shokët për rreth, edhe udhëtarët, edhe ata që janë nën kujdesin tuaj. All-llahu, pa dyshim, nuk i don ata që janë mendjemëdhenj dhe arrogantë
  37. Ata që janë koprracë dhe i urdhërojnë të tjerët për koprraci, dhe të cilët fshehin atë që All-llahu u ka dhënë nga begatia e vet – Ne mosbesimtarëve u kemi përgatitur dënim të turpshëm
  38. Edhe atyre të cilët shpenzojnë pasurinë e tyre për t’u reklamuar para botës, dhe nuk i besojnë All-llahut e as botës tjetër. Pra, kush e ka djallin shok, shok të keq ka
  39. çka do ti gjente sikur t’i besonin All-llahut dhe botës tjetër dhe të shpenzonin nga ajo që u ka dhënë All-llahu, sepse All-llahu di çdo gjë për ta
  40. All-llahu askujt nuk i bënë padrejtësi as sa grima. Veprën e mirë Ai do ta shumëfishojë dhe Vetë do t’i japë shpërblim të madh
  41. Po çdo të bëhet, atëherë, kur të sjellim dëshmitarë nga secili popull, e ty do të sjellim dëshmitar kundër tyre
  42. Atë ditë, ata të cilët nuk kanë besuar dhe që janë ngritur kundër Profetit, do të dëshironin të bëhen rrafsh me tokë; por prej All-llahut s’fshehin dot asnjë fjalë
  43. O besimtarë, mos u falni kur jeni të dehur, deri sa nuk e dini se çka thoni, dhe kur jeni të papastër – vetëm nëse jeni në rrugë, udhëtarë – deri sa të laheni. Por nëse jeni të sëmurë ose udhëtarë, apo në qoftë se keni pasur kontakt me femra, e nuk keni gjetur ujë, atëherë me shuplakë prekni truallin e pastër dhe lëmoni fytyrat tuaja edhe duartë – deri në bërryla. – All-llahu ua fshin mëkatet dhe fal
  44. A nuk i sheh ata të cilëve u është dhënë një pjesë e Librit, se si marrin rrugën e gabuar dhe dëshirojnë që edhe ju të shmangeni nga rruga e drejtë
  45. All-llahu i njeh mirë armiqtë tuaja, dhe All-llahu është i mjaftueshëm për prijës dhe për ndihmëtarë
  46. Ka ndër ta ebrej që shtrembërojnë kuptimin e fjalëve dhe thonë: “Dëgjuam, por nuk u përulëm” dhe “Dëgjo të padëgjuar dhe ruaju nesh”! duke bërë lajthitje me gjuhët e tyre dhe duke shpifur ndaj fesë. Sikur të kishin thënë: “Dëgjuam dhe u përulëm, dëgjo dhe shikona neve!” do të ishte më mirë dhe më drejt për ata, por All-llahu ata i ka mallkuar për mosbesimin e tyre. Ata nuk besojnë, me përjashtim të një numri të vogël
  47. Juve të cilëve u është shpallur Libri, besoni në këtë që ju kemi shpallur – për të vërtetuar atë që ju e keni, Tevratin – më parë se t’u fshijmë nga fytyrat dhe t’ua kthejmë në formë të mbrapsht, ose t’i mallkojmë siç i kemi mallkuar shtunakët. Urdhëri i All-llahut doemos do të zbatohet
  48. All-llahu nuk falë t’i bëjë dikush shok, ndërsa mëkate tjera ia fal, kujt do Ai. Kush i bënë shok All-llahut ka bërë shpifje, mëkat shumë të madh
  49. A nuk i ke parë ata që e konsiderojnë veten të pastër nga mëkatet? Mirëpo All-llahu pastron nga mëkatet atë që do, por e padrejtë nuk i bëhet askujt
  50. Shiko çfarë shpifjesh trillojnë për All-llahun! Ajo mjafton për një gabim të rëndë
  51. A nuk i sheh ata të cilëve u është dhënë një pjesë Libri, besojnë në idole dhe djallë, dhe për ata që nuk besuan thonë: “Ata janë në rrugë më të drejtë se besimtarët”
  52. Ata janë që i ka mallkuar All-llahu, dhe atë që e mallkon All-llahu nuk gjen dot ndihmë për të
  53. Sikur ata të kishin dorë në pushtet, atëherë njerëzve nuk do t’u jepnin kurrgjë
  54. Ose do t’u kishin zili njerëzve për atë që u ka dhënë All-llahu nga begatia e tij. Kurse Ne Ibrahimit dhe pasardhësve të tij u kemi dhënë Librin dhe urtësinë, si edhe pasuri të madhe shumë
  55. Edhe ndër ata ka pasur që i besuan, por ka pasur edhe që u shmangën prej tij. Atyre u mjafton xhehenemi i këndellur
  56. Ata që kanë mohuar argumentet tona, Ne me siguri do t’i hudhim në zjarr, sa herë që t’u piqet lëkura, do t’ua ndërrojmë me lëkurë tjetër, ashtu që të përjetojnë vuajtjen e vërtetë. All-llahu është, njëmend, i fuqishëm dhe i urtë
  57. Kurse ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira do t’i shtiejmë, me siguri, në xhenet, në të cilin rrjedhin lumenj, ku do të mbesin përgjithmonë. Ata do të kenë aty gra të pastra dhe do t’i shpiejmë në hije shumë të dendura
  58. All-llahu ju urdhëron që gjërat e besuara t’ua jepni atyre që u takojnë, pronarëve të vet, dhe kur të gjykoni ndërmjet njerëzve, të gjykoni drejt. Me të vërtetë, po sa bukur All-llahu ju këshillon! All-llahu njëmend dëgjon dhe sheh shumë
  59. O besimtarë, përuluni All-llahut dhe dneroni Profetin, por edhe përfaqsuesit tuaja. Por nëse nuk pajtoheni në ndonjë çështje, drejtohuni All-llahut dhe Profetit, nëse i besoni All-llahut dhe botës tjetër; ajo është më i mirë dhe më i bukuri shpjegim
  60. A nuk i sheh ata të cilët vërtetojnë se besojnë atë që të shpallet ty edhe në atë që është shpallur para teje dhe prapë dëshirojnë të gjykohen para djallit, edhe pse, janë të urdhëruar të mos i besojnë atij. Ndërkaq djalli dëshiron t’i shpie në mashtrim të madh
  61. Kur iu tha atyre: “Pranoni atë që u shpall All-llahu dhe profeti”! – i pe hipokritët si largoheshin krejtësisht prej teje
  62. E çka do të ndodhë kur, për shkak të veprave që i kanë bërë vetë, ata t’i godas ndonjë fatkeqësi, dhe të vijnë ty duke u betuar në All-llahun: “Ne vetëm kemi dëshiruar mirësi dhe pajtim”
  63. All-llahu e di mirë ç’ka në zemrat e tyre, prandaj ti mos u vë veshin fjalëve të tyre, por këshillo dhe folu atyre fjalë që i prekin në shpirt
  64. Kurse ne kemi dërguar profet vetëm që ta nderojnë, me leje të All-llahut. Por nëse ata që kanë gabuar ndaj vetes vijnë te ti dhe lusin All-llahun t’ua falë, edhe Profeti kërkoi falje për ata, do të shohin se All-llahu është shumë i mëshirshëm dhe pranon pendimin
  65. Dhe jo, pasha Zotin tënd, ata nuk janë besimtarë derisa për gjykatës në mosmarrëveshjet e tyre nuk të pranojnë ty, e pastaj për shkak të gjykimit tënd në shpirtërat e tyre nuk ndiejnë aspak peshë, dhe derisa të përulen plotësisht
  66. Po sikur t’u kishim urdhëruar Ne atyre: “Vritni veten”! – ose “Dilni nga shtëpitë tuaja”! – pak kush prej tyre do ta bënte këtë. E sikur ata të vepronin ashtu sipas këshillave, do t’ishte shumë më mirë dhe do të ishin shumë më të vendosur
  67. Dhe Ne, atëherë, pa dyshim, do t’u jepnim shpërblim të madh
  68. Edhe do t’i drejtonim në rrugë të drejtë
  69. Ata që janë të dëgjueshëm ndaj All-llahut dhe Profetit, do të jenë në shoqëri me ata, të cilët i ka bekuar All-llahu: profetët, të drejtët, martirët dhe me njerëzit e mirë. Sa shokë të mirë do të jenë ata
  70. Ajo do të jetë dhuratë prej All-llahut, dhe mjafton që All-llahu i di të tëra
  71. O ju, të cilët keni besuar, kini kujdes, sigurohuni dhe dilni në togje të gjithë së bashku përnjëherë
  72. Ka ndër ju edhe të atillë të cilët me siguri do të shpifin dhe që, nëse i godit ndonjë e papritur, do të thonë: “Vetë All-llahu më ka bekuar që nuk kam qenë me ta viktimë”
  73. Po në qoftë se All-llahu u jep fitore, ai me siguri do të thotë, si mos të kish ekzistuar ndërmjet jush dhe atij lidhje miqësie, “Ku është ai fat, të kisha qenë me ata, do të kisha korrur sukses të madh”
  74. Prandaj le të luftojnë në rrugë të All-llahut ata të cilët nuk duan të flijojnë jetën në këtë botë për botën tjetër. Dhe kush lufton në rrugë të All-llahut dhe vritet ose fiton, Ne padyshim do t’i japim shpërblim të madh
  75. po pse nuk do të luftonit ju në rrugë të All-llahut dhe për të shtypurit, për burra, gra dhe fëmijë, të cilët thërrasin: “Zoti ynë, nxjerrna neve nga ky qytet, banorët e të cilit janë kriminelë dhe Ti na jep ndihmë”
  76. Ata që kanë besuar, luftojnë në udhë të All-llahut, kurse jobesimtarët luftojnë në rrugë të shejtanit. Andaj luftoni kundër miqëve të djallit, sepse dredhia e djallit njëmend është shumë e dobët
  77. A nuk i ke parë vallë ata të cilëve u është thënë “Hiqni dorë (nga lufta), kryene faljen dhe jepne sadakën”. Por pasi qe caktuar lufta, menjëherë një grup prej tyre iu frikësua njerëzve, ashtu si i frikësohen All-llahut, madje edhe më tepër dhe thanë: “Zoti ynë, pse na caktove luftën? Të na kishe kursyer edhe një kohë prej luftës”! thuaj: “Kënaqësia në këtë botë është e shkurtër, kurse ajo botë është më e mirë për ata që ruhen prej mëkateve; dhe askujt nuk do t’i bëhet e padrejtë”
  78. Kudo që të jeni, vdekja do t’u arrijë, qoftë edhe në kulla të larta të fortifikuara. Nëse i gjen farë mirësie, ata thonë: “Kjo është nga All-llahu”! Po nëse i gjen ndonjë e keqe, thonë: “Kjo është për shkak tëndin”! Thuaju: “Krejt është prej All-llahut”. Çka është me atë popull?! Ata sikur nuk e kuptojnë fare se çka u thuhet
  79. Çdo e mirë që të ndodhë është prej All-llahut, kurse të papriturën e ke prej vetvetes. Ne të kemi dërguar, vetëm si Profet, për tërë njerëzit, dhe All-llahu është dëshmitar i mjaftueshëm
  80. Kush respekton Profetin e ka respektuar edhe All-llahun; kurse ai i cili kthen kryet në anë tjetër – ani, Ne nuk të kemi dërguar ty t’u bëhesh rojtar
  81. Ata thonë: “Përulemi”, por kur largohen prej teje, atëherë disa prej tyre natën ëndërrojnë të kundërtën me atë që flet ti, por All-llahu e di çka ëndërrojnë ata. Prandaj, ti hiqu atyre dhe kij mbështetje në All-llahun, sepse All-llahu është ndihmës i mjaftueshëm
  82. A nuk mendojnë ata për Kur’anin? Të ishte ai prej tjetërkujt e jo prej All-llahut, me siguri në të do të gjenin shumë kundërthënie
  83. Kur atyre u vjen diçka që ka të bëjë me sigurinë ose tmerrin, ata e bëjnë edhe më të madhe – e përhapin. Sikur ata t’i drejtohen për këtë Profetit ose përfaqësuesve të tyre, ata do t’i kishin njoftuar. Po të mos jetë mirësia e All-llahut dhe mëshira e tij ndaj jush, edhe ju, me siguri, përveç një pakice, do të kishin pasuar djallin
  84. Prandaj, lufto në rrugë të All-llahut, edhe vetë në qofsh, madje nxiti edhe besimtarët; mbase All-llahu ua ndal forcën atyre që nuk besojnë, sepse All-llahu është më i forti dhe dënimet e tij janë më të rrepta
  85. Kush angazhohet për të mirë, ai do të ketë pjesëmarrje në shpërblim, ai i cili angazhohet për të keq – edhe ai do të ketë pjesëmarrjen e vet në dënim – kurse All-llahu për të gjitha është vigjilent
  86. Kur t’ju përshëndes dikush, ua ktheni me përshëndetje më të mirë, ose me të njëjtë! All-llahu vërtetë për të gjitha do të kërkojë llogari
  87. All-llahu, që nuk ka tjetër përveç Tij, juve do t’ju tubojë në ditën e kijametit, për këtë nuk ka dyshim fare. Po fjalët e kujt janë më të vërteta se të All-llahut
  88. Te hipokritët nuk keni dy grupe. Ata All-llahu i shpërblen me atë që e kanë merituar. Vallë a doni t’i drejtoni në rrugë të drejtë ata të cilët All-llahu i ka lënë të humbur! Ndërkaq, atë që e ka lënë All-llahu në mashtrim, ti kurrë nuk do t’i gjesh rrugë të drejtë
  89. Ata mezi presin që edhe ju të jeni mosbesimtarë dhe të jeni të barabartë. Prandaj mos i pranoni për miq të mirë derisa nuk shpërngulën për hirë të All-llahut. E nëse kthejnë shpinën, atëherë zini dhe vritni kudo që t’i gjeni, edhe nga ata mos pranoni mik as ndihmëtar
  90. Me përjashtim të atyre të cilët i bashkangjiten popullit me të cilin edhe ju keni marrëveshje për mossulmim, ose u vijnë juve nga se u vjen keq të luftojnë kundër jush apo popullit të vet. Të dojë All-llahu, do t’i kishte kthyer kundër jush dhe ata, me të vërtetë do të kishin luftuar kundër jush. Nëse ju lënë të qetë dhe nuk ju sulmojnë, dhe ju afrojnë paqe, atëherë All-llahu nuk ju jep leje kundër tyre
  91. Do të hasni edhe të tjerë të cilët dëshirojnë të jenë të besueshëm edhe te ju edhe te populli i vet; çdo herë kur kthehen në shpifje, kthehen në mosbesim. Nëse ata nuk ju lënë të qetë dhe nuk ju afrojnë paqe edhe nuk ndalen së luftuari kundër jush, ju zini dhe mbytni kudo që t’i zini. Ata janë kundër të cilëve ju japim të drejtë haptazi
  92. Nuk bënë që besimtari të vrasë besimtarin, vetëm me pahirë. Ai që vret besimtarin me pahirë, duhet ta lirojë nga robëria një rob-besimtar, kurse familjes së tij t’ia paguajë gjakun; vetëm në qoftë se ata e falin. Në qoftë se ai është nga pala armike, por vetë është besimtar, duhet ta lirojë një rob-besimtar nga robëria; e nëse i takon palës me të cilën ju keni marrëveshje, duhet t’i paguajë gjakun familjes së tij dhe ta lirojë nga robëria një rob-besimtar. Po nëse nuk gjen rob, atëherë duhet të agjërojë dy muaj njëri pas tjetrit, për t’u penduar te All-llahu. Ndërkaq All-llahu është shumë i dijshëm dhe i urtë
  93. Kush e mbyt qëllimisht besimtarin, dënim e ka xhehennemin, ku do të mbesë përgjithmonë, dhe All-llahu do ta lëshojë mbi të hidhërimin e vetë, e atë e ka mallkuar dhe i ka përgatitur mundim shumë të madh
  94. O besimtarë, kur të sulmoni për hirë të All-llahu, shqyrtoni mirë çdo gjë dhe atij që ju përshëndet me selam mo i thuani: “ti nuk je besimtar!”, në mënyrë që ta pengoni nga mirësitë e kësaj bote; se te All-llahu ka shumë fitime! Edhe ju më parë keni qenë si ata, e All-llahu ju dhuroi mëshirën e vet, prandaj sqaroni mirë çdo gjë, sepse All-llahu, njëmend, është i informuar se ç’punoni ju
  95. Besimtarët të cilët nuk luftojnë – përveç atyre që janë të paaftë për luftë – nuk janë të barabartë me ata që luftojnë në rrugë të All-llahut me pasurinë dhe jetën e vet. Ata që luftojnë, me mish e me shpirtë te All-llahu janë një shkallë më lart. All-llahu do t’u japë luftëtarëve, jo atyre që nuk luftojnë, shpërblim të madh
  96. Shpërblime të larta prej Tij edhe falje e mëshirë, - All-llahu është shumë i mëshirshëm dhe fal
  97. Kur engjujt do t’ua marrin shpirtin atyre që kanë gabuar ndaj vetvetes, do t’u thonë: “Çu bë me ju?” – “Kemi qenë të shtypur në tokë”, - do të përgjigjen. “Vallë, a nuk është toka e All-llahut e gjërë që të emigroni, - lëvizni nëpër të?” Prandaj vendi i tyre do të jetë në xhehennem, sa vendbanim i keq është ai
  98. Vetëm burrat e pafuqishëm dhe gratë e fëmijët, të cilët nuk kanë pasur mundësi dhe nuk e kanë ditur rrugën
  99. All-llahu, mbase do t’ua falë, sepse All-llahu është ai që fshin dhe fal mëkatet
  100. Ai që shpërngulet për hirë të All-llahut, do të gjejë në tokë shumë vendstrehime e liri. Atij që del nga shtëpia e vet dhe emigron për hirë të All-llahut dhe të dërguarit të Tij dhe i vjen vdekja, i është garantuar shpërblimi nga All-llahu, sepse All-llahu është i mëshirshëm dhe fal shumë
  101. Nuk është për ju mëkat ta shkurtoni të falurit kur jeni në udhëtim, nëse keni frikë se u bëjnë ndonjë dëm ata që kanë mohuar. Mosbesimtarët i keni, me siguri, armiq të hapur
  102. Kur të jesh ti me ata kur të vendosësh ta kryejsh të falurit bashkë me ta, një grup le ta kryejnë të falurit me ty, ndërsa ata tjerët le t’i kapin armët e tyre; dhe derisa të jeni ju duke u falur, ata le të qëndrojnë pas jush, e pastaj le të vijë grupi tjetër, të cilët nuk e kanë kryer faljen dhe le të falen edhe ata me ty, por le t’i mbajnë armët dhe të jenë të kujdesshëm. Mosbesimtarët mezi presin t’u befasojnë juve te armët dhe mjetet tjera të luftës, e t’ju sulmojnë të gjithë përnjëherë. Nëse ju pengon shiu ose në qoftë se jeni të sëmurë, nuk është mëkat t’i leni armët, por kini kujdes! All-llahu u ka përgatitur mosbesimtarëve vuajtje të turpshme
  103. Dhe sa herë që kryeni të falurit, përmendeni All-llahun: në këmbë, ulur edhe ratë. Por në kushte të sigurta të falurit kryeni plotësisht, sepse të falurit është caktuar për besimtarët në kohë të caktuar
  104. Mos demoralizoheni nëse nuk gjeni njerëz (për luftë)! Nëse juve ju dhemb, edhe ata ndiejnë dhembje sikur ju, vetëm se ju shpresoni në All-llahun në atë që ata nuk shpresojnë. Ndërkaq All-llahu është shumë i urtë dhe i dijshëm
  105. Ne ty të shpallëm Librin me të vërteta që të gjykosh ndërmjet njerëzve ashtu siç ta shpallë All-llahu, por mos u bën për gënjeshtarët armik
  106. Dhe kërko falje nga All-llahu! All-llahu, njëmend, është shumë i mëshirshëm dhe fal
  107. Dhe mos u grind për ata që gënjejnë veten, sepse All-llahu nuk e do atë që është dinak, mëkatar i madh
  108. Ata fshehin nga njerëzit, por nuk fshehin dot prej All-llahut, sepse Ai është me ata edeh natën kur trillojnë fjalë, me të cilat Ai nuk është i kënaqur; All-llahu i di mirë krejt se ç’punojnë ata
  109. Ja, ju ata i mbroni në këtë jetë, por kush do t’i mbrojë ata para All-llahut në ditën e Kijametit, ose kush do t’i përfaqësojë
  110. Ai i cili bën ndonjë të keqe ose bën mëkat ndaj vetes e pastaj lut All-llahun që t’ia falë – do të bindet se All-llahu fal dhe është i mëshirshëm
  111. Ai, i cili meriton mëkat, atë e ka fituar në dëm të vet, kurse All-llahu është shumë i dijshëm dhe i urtë
  112. E kush bën gabim a mëkat dhe me at sulmon dikë të pafajshëm, i ka ngarkuar vetes haptazi shpifje dhe mëkat
  113. Të mos ishte mëshira e All-llahut dhe mirësia e Tij ndaj teje, një grup nga ata kanë pasur ndërmend të të mashtrojnë, por s’mashtruan tjetër pos vetveten, kurse ty nuk të dëmtuan fare. Ty All-llahu ta shpalli Librin dhe urtësinë dhe të ka mësuar atë që nuk e ke ditur; mirësia e All-llahut është e madhe ndaj teje
  114. Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka ndonjë dobi, përveç se kur kërkojnë të ndahet sadakaja ose të bëhen vepra të mira ose të pajtojnë njerëz ndërmjet veti. Dhe kush e bën atë me dëshirë që të fitojë simpatinë e All-llahut, Ne, me siguri, do t’i japim shpërblim të madh
  115. Kush i kundërshton Profetit, pasi që ai ia sqaron rrugën e drejtë, dhe shkon rrugës e cila nuk është rrugë e besimtarit, do ta lëshojmë të bëjë çka të dojë dhe ta hudhim në xhehennem. Sa vend i tmerrshëm është ai
  116. All-llahu nuk fal t’i vihet shok i barabartë, por çka është (mëkat) më i vogël se ky do t’ia falë kujt të dojë. Ndërkaq kush i bën All-llahut shok ai keq ka humbur
  117. Ata në vend të Tij i luten idoleve femra, pra, nuk i luten tjetërkujt përveç djallit të mallkuar
  118. All-llahu e mallkoi! Kurse ai i tha: “Unë gjithsesi do të bëj për vete një numër të caktuar nga robërit tuaj”
  119. Edhe do t’i shpie, me siguri, në rrugë të shtrembër dhe do t’i tërheq, pa dyshim, me shpresa të rrejshme, dhe gjithsesi do t’i urdhëroj t’u presin veshët kafshëve, si edhe do t’u urdhëroj të ndryshojnë krijesat e All-llahut”. Kush e bën mik djallin, e jo All-llahun, ai vërtet ka pësuar humbje të mëdha
  120. Ai u premton dhe i tërheq ata me shpresa të rrejshme, e atë që u premton djalli nuk është asgjë tjetër vetëm gënjeshtër, iluzion
  121. Të atillët e kanë vendin në xhehennem dhe ata nuk do të gjejnë shpëtim prej tij
  122. Ata të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira do t’i shpiem në xhennete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, e aty do të jenë përgjithmonë. Premtimi i All-llahut është i vërtetë, e fjalët e kujt janë më të sinqerta se të All-llahut
  123. Nuk është sipas dëshirës tuaj e as sipas dëshirës së pasardhësve të Librit: kush bën keq do të dënohet për atë dhe nuk do të gjejë, pos All-llahut, as ndihmës as mik
  124. Dhe kush bën ndonjë të mirë, qoftë mashkull apo femër, por që është besimtar, do të hyjë në xhennet dhe nuk do t’i bëhet as sa grima padrejtësi
  125. Kush është më i mirë në fe se ai i cili sinqerisht i është dorëzuar All-llahut, duke bërë edhe vepra të mira, dhe që pason fenë e drejtë të Ibrahimit, e Ibrahimin All-llahu e konsideroi mik të mirë
  126. Gjithë çka ka në qiej dhe në tokë është e All-llahut; dhe All-llahu i përfshinë në dijeninë e tij të gjitha
  127. Kërkojnë prej teje norma për gratë. Thuaj: “All-llahu do t’ua sqarojë normat për ato, edhe për atë që është komunikuar në Libër për femrat bonjake, të cilave nuk u jipet ajo që u takon me ligj dhe dëshironi të martoheni me to, edhe për fëmijtë e pafuqishëm, edhe që me bonjakët të veproni me drejtësi. Ndërkaq, All-llahu me siguri di shumë mirë për të mirat që bëni
  128. Në qoftë se ndonjë grua frikësohet nga kryeneqësia e burrit apo se do ta lërë pas shpine, atëherë nuk është mëkat nëse ata dy bëjnë marrëveshje ndërveti, pajtimi është më i mirë. Njerëzit janë krijuar grykësa, e në qoftë se ju silleni mirë dhe ruheni, All-llahu është i informuar shumë mirë për veprat tuaja
  129. Ju nuk mund të jeni plotësisht të drejtë ndaj grave edhe pse do ta dëshironit këtë, por mos i lejoni vetes shprehinë që ndonjërën ta lini si të varur. Dhe nëse i përmirësoni marrëdhëniet dhe ruheni, All-llahu është, pa dyshim, shumë i mëshirshëm dhe fal shumë
  130. Po në qoftë se ata dy ndahen, All-llahu do t’i pasurojë nga thesari i tij. – All-llahu ka urtësi të pakufishme
  131. Të All-llahut janë gjithçka ka në qiej dhe në tokë. Ne i kemi këshilluar ata që u është shpallur Libri para jush, por edhe juve, All-llahut t’i ruheni. Dhe nëse mohoni, ani, s’ka dyshim se gjithçka ka në qiej dhe në tokë janë të All-llahut, All-llahu është i pasur dhe i denjë për çdo lavdërim
  132. Çka ka në qiej dhe në tokë janë të All-llahut, dhe për mbrojtës mjafton All-llahu
  133. Në qoftë se Ai do, juve do t’ju largojë, o njerëz dhe do të sjellë të tjerë; All-llahu ka forcë ta bëjë këtë
  134. Kush dëshiron shpërblim në këtë botë le ta dijë se All-llahu i ka shpërblimet edhe të kësaj edhe të asaj bote. Ndërkaq, All-llahu dëgjon dhe sheh shumë
  135. O besimtarë, jini përherë të drejtë, dëshmoni për All-llahun, qoftë edhe në dëmin tuaj ose në dëm të prindërve dhe të afërmve, qoftë i pasur a i varfër, All-llahu është të kujdeset për ato! Prandaj që të jeni të drejtë mos pasoni epshet. Po në qoftë se dëshmoni padrejtësisht ose i shmangeni dëshmisë, ani, All-llahu vërtet është i njoftuar se çka punoni
  136. O besimtarë, besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij, edhe Librit të cilin Ai ia shpall Profetit të vet, edhe Librit që e shpalli më aprë. Kurse ai që mohon All-llahun, engjujt e Tij, të dërguarit e Tij, librat e Tij edhe botën tjetër, ai ka humbur shumë keq
  137. Atyre të cilët besuan, pastaj u bënë mosbesimtarë, dhe prapë u bënë besimtarë e pastaj përsëri kthehen në mosbesimtarë, dhe forcojnë mosbesimin, All-llahu, pa dyshim, nuk do t’ua falë dhe nuk ka për t’i shpjerë në rrugë të drejtë
  138. Merruni sihariq hipokritëve se i pret vuajtje e dhëmbshme
  139. Ata të cilët miqësohen sinqerisht me mosbesimtarët e jo me besimtarët! Vallë a te ata e kërkojnë forcën kur e tërë forca i takon vetëm All-llahut
  140. Ai tanimë u ka zbritur Libër: kur të dëgjoni se fjalët e All-llahut mohohen dhe se tallen me ta, mos rrini me ata deri sa nuk marrin tjetër bisedë. Në të kundërtën do të jeni si ata. All-llahu me siguri do t’i bashkojë hipokritët dhe mosbesimtarët, të gjithë, në xhehennem
  141. Ata që presin se çka do të bëhet me ju: dhe nëse All-llahu u jep fitore thonë: “A nuk ishim edhe ne me ju?”, e nëse u prin fati mosbesimtarëve, atëherë u thonë: “A nuk kemi luftuar edhe ne me ju dhe ju kemi mbrojtur prej besimtarëve?”. Në ditën e gjykimit All-llahu do t’ju gjykojë të gjithëve! Ndërkaq All-llahu nuk do t’u japë mundësi mosbesimtarëve kundër besimtarëve
  142. Hipokritët shtihen se po e mashtrojnë All-llahun, ndërsa Ai i mashtron ata. Kur ngrihen ta falin namazin, ngrihen me përtesë, dhe, vetëm, për t’u ekspozuar para botës, e All-llahun gati nuk e përmendin fare
  143. Janë të pavendosur se kujt do t’i mbështeten, as këtyre as atyre. Atë që e lë All-llahu në rrugë të humbur – ti nuk gjen dot rrugë të drejtë për të
  144. Ju që besoni, mos u miqësoni me mosbesimtarët në vend se me besimtarët! A do t’i tregoni All-llahut argument flagrant kundër vetvetes
  145. Hipokritët do të jenë mu në fund të zjarrit të xhehennemit dhe ti nuk do t’u ofrosh ndihmë
  146. Pos atyre të cilët pendohen dhe përmirësohen me vendosmëri marrin rrugën e All-llahut dhe fenë e vet te All-llahu e shprehin sinqerisht; ata do të jenë me besimtarët, kurse All-llahu me siguri besimtarëve do t’ju japë shpërblim të madh
  147. Përse t’ju dënojë All-llahu juve, nëse e falenderoni dhe e besoni? All-llahu është shumë i dijshëm dhe mirënjohës
  148. All-llahu nuk dëshiron që për të këqiat të flitet me të madhe, përveç atij të cilit i është bërë e padrejta. All-llahu dëgjon dhe është shumë i dijshëm
  149. Qoftë t’i keni bërë veprat e mira haptazi ose fshehurazi, ose ta folni të padrejtën, ani, All-llahu falë shumë dhe është shumë i fortë
  150. Ata të cilët mohojnë All-llahun dhe të dërguarit e Tij dhe ata që dëshirojnë të bëjnë dallim ndërmjet All-llahut dhe të dërguarve të Tij, duke thënë: “Disave u besojmë e disa i mohojmë”, dhe dëshirojnë që ndërmjet tyre të marrin farë qëndrimi
  151. Ata janë, me të vërtetë, mosbesimtarë të plotë, kurse Ne mosbesimtarëve u kemi përgatitur vuajtje të turpshme
  152. Ndërkaq ata që i besojnë All-llahut dhe të dërguarve të Tij, pa e dalluar asnjërn prej tyre, atyre me siguri do t’u jipet shpërblim, se All-llahu fal dhe është shumë i mëshirshëm
  153. Pasardhësit e Librit kërkojnë prej teje që nga qielli t’u zbresish Librin. Nga Musa, madje, patën kërkuar më shumë se kaq, kur i thanë: “Na e trego haptazi All-llahun”! Prandaj, për shkak të pashpirtësisë së tyre, i shitoi rrufeja. Pastaj, pasi u erdhën argumente të qarta, ata morën viçin (për zot), por edhe këtu ua falëm, ndërsa Musaut i dhamë haptazi pushtet
  154. Dhe përmbi ata ngritëm malin Tur, për shkak të besës së tyre, dhe Ne u thamë: “Hyni në portë kokëulur!” dhe prapë u thamë: “Mos gaboni për të shtunën”! dhe nga ata morëm premtim të fortë
  155. Por për shkak të thyerjes së premtimit të vet dhe mohimit të argumenteve të All-llahut, dhe mbytjes së profetëve pa asnjëfarë faji, dhe të deklarimit të tyre “Zemrat tona janë të mbyllura” – All-llahu atyre ua ka vulosur (zemrat) me mosbesimin e tyre, prandaj vetëm pak sish besuan
  156. Dhe për shkak të mosbesimit të tyre dhe deklaratave të rënda shpifëse kundër Merjemes
  157. Si edhe të deklarimit të tyre: “Me të vërtetë ne e vramë Mesihin, Isaun, të birin e Merjemes, të dërguarin e All-llahut” edhe pse as e kanë vrarë, as e kanë gozhduar, por ashtu u është dukur. Ata të cilët ndan mendimin lidhur me këtë, ishin në dyshim për këtë; për këtë nuk kanë ditur kurrgjë të sigurt, vetëm sipas hamendjes (flisnin), ndërkaq është shumë e sigurt se atë nuk e kanë vrarë
  158. Por All-llahu e ngriti te vetja, se All-llahu është shumë i urtë dhe i fuqishëm
  159. Dhe nuk ka asnjë pasues Libri, i cili, para se të vdesë, nuk do të besojë në të ashtu si duhet, e në ditën e gjykimit ai do të dëshmojë kundër tyre
  160. Dhe për shkak të një krimi të ebrejve, ne atyre ua kemi ndaluar disa ushqime të mira që i kanë pasur të lejuara, dhe për shkak se shumica janë shmangur nga rruga e All-llahut
  161. Dhe për shkak se kanë marrë kamatën, e që e kanë pasur të ndaluar, si edhe e kanë ngrënë pasurinë e të tjerëve në mënyrë të palejuar. Kurse Ne për mosbesimtarët kemi përgatitur dënim të dhembshëm
  162. Ndërsa ka prej tyre të cilët janë thelluar në shkencë, edhe besimtarët, që besojnë atë që të zbret ty si edhe asaj që është zbritur para teje, posaçërisht ata që kryejnë faljen dhe ata që japin zeqatin dhe i besojnë All-llahut dhe botës tjetër, ata janë, të cilëve me siguri do t’u japim shpërblim të madh
  163. Ne ty të japim shpallje ashtu si i kemi shpallur Nuhit dhe profetëve të tjerë pas tij, e i kemi shpallur edhe Ibrahimit, edhe Ismailit, edhe Is-hakut, edhe Jakubit edhe pasardhësve, Isait dhe Ejubit, edhe Junusit, edhe Harunit, edhe Sulejmanit, kurse Davudit i dhamë Zeburin
  164. Edhe profetëve për të cilët të kemi rrëfyer më parë dhe profetëve për të cilët nuk të kemi rrëfyer, se All-llahu, me siguri, ka folur me Musaun
  165. Për profetët të cilët kanë predikuar lajme të gëzueshme dhe vërejtje, që njerëzit pas profetëve të mos kenë te All-llahu asnjëfarë arsyetimi, kurse All-llahu është shumë i urtë dhe i fuqishëm
  166. Por All-llahu dëshmon se atë që ta zbret ty, ta zbret që vetëm Ai e di, ndërsa engjujt, edhe ata, e dëshmojnë, megjithëse për dëshmitar mjafton All-llahu
  167. Ata të cilët mohojnë dhe që i kthejnë edhe të tjerët nga rruga e All-llahut kanë humbur keq
  168. Atyre që mohojnë dhe bëjnë krime All-llahu, njëmend, atyre nuk ua fal dhe nuk do t’i drejtojë në rrugë (të drejtë)
  169. Përveç rrugës së xhehennemit, në të cilën do të mbesin gjithmonë e jetë. Kjo është shumë lehtë për All-llahun
  170. O njerëz, Profeti ua ka sjellë të vërtetën nga Zoti juaj, prandaj besoni – më mirë është për ju – e nëse nuk e besoni, ani, çka ka në qiej dhe në tokë është e All-llahut, dhe All-llahu është shumë i dijshëm dhe i urtë
  171. O pasardhës të Librit, mos iu shmangëni fesë tuaj dhe për All-llahun flitni vetëm të vërtetën! Mesihi, Isa, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguari i All-llahut, si edhe fjala e tij, të cilën ia tha Merjemes dhe i dha jetë; prandaj besoni All-llahut dhe të dërguarve të Tij dhe mos thuani: “Janë tre!”. Mjaft e ka! Më mirë u bie! All-llahu është vetëm një Zot, Qoftë lavdëruar Ai! Vallë Ai të ketë djalë?! E Atij është gjithë çka ka në qiej dhe në tokë, dhe All-llahu është mjaft për ndihmës
  172. mesihit nuk do t’i vijë rëndë të pranojë se është njeri i All-llahut, e as engjujve më të afërt. E atyre që u vjen rëndë (përbuzje) ta adhurojnë Atë, dhe që tregojnë arrogancë, ani, All-llahu të gjithë do t’i tubojë para vetes
  173. Ndërkaq, ata që besuan dhe kanë bërë vepra të mira, Ai do t’i shpërblejë sipas meritës, madje nga mirësia e tij i shpërblen edhe më tepër, kurse ata që kanë shprehur mosbesim dhe arrogancë, do t’i hedhë në mundime të padurueshme, dhe ata përveç All-llahut nuk do të gjejnë për vete as mbrojtës as ndihmëtar
  174. O njerëz, tani më, ju ka ardhur argument nga Zoti juaj dhe ne u kemi zbritur Dritë të qartë
  175. Sa u përket atyre që besojnë All-llahun dhe i përmbahen atij besimi, Ai me siguri do t’i shtjerë në mëshirën dhe mirësinë e Tij, dhe do t’i udhëzojë rrugës së drejtë të Tij
  176. Ata kërkojnë prej teje sqarim. Thuaj: “All-llahu do t’ju rrëfejë juve ligjin për “kelalin” (derëmëshelmin), nëse dikush vdes që nuk ka fëmijë, por ka motgër, asaj i takon gjysma (e pasurisë) që e lë ai; mirëpo edhe ai e trashëgon atë nëse ajo nuk ka fëmijë; E nëse janë ato dy, atyre dyjave u takojnë dy të tretat nga ajo që lë ai. Po nëse ata janë vëllezër – burra dhe gra, atëherë mashkullit i takon aq sa dy femrave së bashku. Këtë All-llahu ua sqaron që të mos humbni. Ndërkaq All-llahu i di të gjitha çështjet shumë mirë